Nga shkopi i policisë për resortin privat te lutja para altarit, pushteti që rreh qytetarët dhe kërkon bekim te Zoti…
Nëse ka një art që Edi Rama e ka zotësi më tepër se piktura, skulptura apo ‘kënga popullore’, është arti i hipokrizisë politike. Kjo duket qartë te loja e tij më e re: dhuno banorët për të mbrojtur banditin, pastaj shkon e i kërkon Zotit të mbrojë shtetin që vetë e ka dorëzuar tek banditët.
Edi Rama ka një talent të rrallë: arrin të jetë në dy vende moralisht të kundërta brenda të njëjtës ditë, pa iu skuqur fytyra. Në Shkodër dhunon banorët katolikë që mbrojnë tokat e tyre për t’ia dorëzuar Mulla Bashkim Ulajt; ndërsa në Vatikan gjunjëzohet përpara Zojës së Këshillit të Mirë dhe i lutet: “Mbroje Shqipërinë”. Një Shqipëri, e cila në terren po mbrohet me shkop gome, pranga dhe uniforma policie, jo nga ligji, por për ligjin e më të fortit.
Në Velipojë e Rrjoll, shteti i Ramës nuk shfaqet si garant i pronës private, por si truprojë e një banditi që ka marrë status “Investitor Strategjik” dhe që, si gjithmonë, ndërton më shpejt se leja në letra dhe grabit më shpejt se drejtësia.
Banorët që jetojnë aty prej shekujsh trajtohen si pushtues, ndërsa ai që vjen me dosje pronësie të falsifikuara, vendime qeverie dhe bekim politik e quhet “zhvillues”. Policia nuk pyet kush ka të drejtë, por kush ka firmën e kryeministrit. Dhe kur banorët ngrenë zërin, shteti u përgjigjet me dhunë, sikur po mbrojnë një bazë ushtarake e jo një resort privat.
Por ironia nuk mbaron këtu.

I njëjti kryeministër që urdhëron policinë të godasë qytetarët për tokën e tyre, shfaqet në Vatikan si njeri i besimit, i përulur, duke kërkuar nga Zoja e Këshillit të Mirë mbrojtjen e Shqipërisë.
Cilën Shqipëri?
Ajo që grabitet me vendime qeverie?
Ajo që dhunohet me polici?
Ajo që u shërben oligarkëve dhe shtyp qytetarët?
Apo ajo Shqipëri që ekziston vetëm në fjalimet e tij dhe në lutjet rituale për kamera?
Kjo nuk është çështje feje. Katolikë, myslimanë apo ortodoksë nuk kanë asnjë lidhje me këtë histori. Kjo është çështje pushteti. Dhe pushteti i Ramës ka zgjedhur qartësisht anën e tij: jo qytetarin, por oligarkun bandit. Jo pronën private, por pazarin. Jo ligjin, por forcën. Në këtë realitet, lutjet në Vatikan janë thjesht dekor, ndërsa dhuna në Shkodër është politika reale.
“Mbroje Shqipërinë”, i thotë Rama Zojës së Këshillitt ë mirë. Por Shqipëria sot ka nevojë të mbrohet jo nga Zoti, por nga ata që e përdorin shtetin si pronë private dhe policinë si roje resortesh.
Sepse një vend nuk humbet kur i mungon bekimi hyjnor, por kur i mungon drejtësia njerëzore. Dhe ajo, në Rrjoll, në Velipojë dhe në Shkodër, sot mungon krejtësisht./Pamfleti
