Muhamed Mešić është një fenomen i rrallë njerëzor. Në një botë ku shumica e njerëzve përpiqen me vite të tëra për të mësuar një gjuhë të huaj, 39-vjeçari nga Bosnja ka thyer çdo kufi: ai flet plot 73 gjuhë.
I lindur në vitin 1984 në Tuzla, Mešić ka shfaqur talentin e tij të jashtëzakonshëm që në moshë shumë të re. Vetëm 16 vjeç, ai u bë këshilltar bashkiak, ndërsa në moshën 26-vjeçare fliste tashmë 56 gjuhë. Sot, numri i tyre ka shkuar në 73, duke e renditur mes njerëzve më shumëgjuhësh në botë.
Ajo që e bën historinë e tij edhe më të pabesueshme është fakti se Muhamedi nuk ka ndjekur pothuajse asnjë kurs gjuhësor. I vetmi kurs zyrtar që ka bërë është ai i gjuhës austriake të shenjave. Gjuhët e tjera i ka mësuar përmes dëgjimit, praktikës dhe ekspozimit të vazhdueshëm ndaj kulturave të ndryshme.
Me profesion jurist, Mešić ka punuar në 24 shtete në 4 kontinente, duke përdorur aftësitë e tij gjuhësore si urë komunikimi mes njerëzve dhe kulturave. Ai flet 12 gjuhë në mënyrë perfekte, duke përfshirë terminologji profesionale, ndërsa në më shumë se 70 gjuhë mund të mbajë biseda të rrjedhshme.
Sipas tij, mënyra më e lehtë për të mësuar një gjuhë të re është të stërvitësh veshin: përmes muzikës, filmave, DVD-ve dhe dëgjimit të vazhdueshëm. Megjithatë, pavarësisht gjithë këtij universi gjuhësor, ai tregon se lutet dhe ëndërron vetëm në gjuhën boshnjake, ndërsa kur përpiqet të gjejë zgjidhje komplekse, mendon në gjuhë të huaja.
Aktualisht, Muhamed Mešić jeton dhe punon në Vjenë, ku drejton një biznes ligjor në fushën e ndërtimit. Historia e tij është një dëshmi e jashtëzakonshme e potencialit njerëzor dhe një frymëzim për këdo që mendon se “gjuhët janë të vështira”.
