Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot, 6 shkurt, për ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas burimeve, Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me vendim në favor të kryeministrit Edi Rama dhe zv/ kryeministres Belinda Balluku.
Sipas burimeve, pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pritet të votojnë pro pranimit të padisë së qeverisë, duke rrëzuar vendimin e GJKKO, e cila me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra Belinda Ballukut. Tre anëtarë mësohet se janë kundër ankimimit të qeverisë dhe në favor të GJKKO. Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja ka paralajmëruar gjyqtarët të mos veprojnë më si noterë të SPAK-ut ndryshe qeveria do të ndërhyjë përmes Kuvendit.
Kujtojë se GJKKO, me kërkesë të SPAK, e pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku në nëntor, pasi u mor e pandehur për abuzime me tenderin e tunelit të Llogarasë, por kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si shkelje të kompetencave të tij.
Me këtë argumentim, ai e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe seanca publike me të gjitha palët u mbajt më 22 janar.
Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie si ajo e arrestit në shtëpi apo në burg.
Socialistët kanë shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke pretenduar se duhet pritur së pari vendimi i Kushtetueses. Po opozita argumenton se kërkesa për arrestim nuk ka të bëjë me pezullimin dhe për rrjedhojë pretendimi që përdor maxhoranca nuk qëndron.
