E fundit: Vendimi i kushtetueses: Rrëzohen Rama-Balluku, fitojnë SPAK-GJKKO!

as një mbledhjeje maratonë për gati 10 orë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dalë me një qëndrim në lidhje me ankimimin e bërë nga kryeministri Edi Rama ndaj vendimit të SPAK për Belinda Ballukun.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë ndarë 4 me 4, duke mos marrë dot një vendim, çka rrëzon kësisoj padinë e kryeministrit Edi Rama kundër pezullimit të Ballukut nga GJKKO. Me këtë zhvillim fitojnë SPAK dhe GJKKO, ndërsa humbin Rama dhe Balluku, pasi lihet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin e Ballukut.

Gjyqtarët u ndanë në dy grupe: njëra palë që mendon se masa e pezullimit nuk mund të merret pa lejen e Kuvendit dhe pala tjetër që mendon se është e panevojshme për t’iu drejtuar Kuvendit. Duke mos marrë një vendim, rrëzohet automatikisht kërkesa e kryeministrit Edi Rama për të zhbërë vendimin e GJKKO që vendosi pezullimin e Ballukut me kërkesë të SPAK-ut.

Kështu, rikthehet në fuqi masa e GJKKO-së dhe Balluku pezullohet nga detyra. Mbetet për t’u parë se çfarë lëvizje do të bëjë Edi Rama pas këtij zhvillimi. Duhet theksuar se ky zhvillim nuk prek imunitetin e zonjës Balluku. Çështja e heqjes ose jo të iminutetit i takon Kuvendit. Nëse Kuvendi vendos për t’i hequr imunitetin, atëherë SPAK arreston zonjën Balluku.

Nëse Kuvendi rrëzon kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin, zonja Balluku nuk mund të arrestohet, por në të njëjtën kohë mbetet e pezulluar si zv/kryeministre. Për momentin SPAK e ka fituar betejën me Edi Ramën, por nga ana tjetër Rama ka treguar se ka votat në Kuvend, pra fuqinë për të goditur SPAK-un. Por, nga ana tjetër, SPAK shpreson se ka mbrojtjen e SHBA-BE, një tjetër fuqi mbi fuqinë e Ramës.