Shpëtoi nga Delta Force, Rama rrethohet nga Llaban Baba Vanga, Çim Peka, Pretenca, Gimi i Puros, Sonila Meço, Strazo Koburja dhe Fate Mediu

di Rama po kalon ditët dhe orët më kritike që kur erdhi në pushtet në 2013. Pasi i shpëtoi arrestimit në Surrel nga marinsat amerikanë të Delta Forcë, ndoshta në këmbim të faljes së ishujve dhe rripave në det, Edi Rama tashmë është rrethuar nga ‘marinsat’ e mediave të Tiranës, të cilët po koordinohen të përbetuar për t’a rrëzuar nga pushteti, me qëllim për të arritur atë që nuk po e realizon dot Doktor Nongrata me rezulucionin e tij paqësor 13-vjeçar dhe me bashkimin e opozitës në diversitet.

Edi Rama është rrethuar nga gazetarja Anduena Llabani, e njohur tashmë si Baba Vanga e mediave dhe politikës, nga Klodiana Lala e njohur si zonja Pretenca, nga Agim Nesho i njohur si Gimi i Puros, nga gazetarja largpamëse e banakut të TV Zenit Sonila Meço si dhe nga gazetari pranë Familjes Berisha, Çim Peka, i rikthyer fuqishëm me parashikime, diagnoza dhe paralajmërime të kobshme pas dorëheqjes në gusht dhe tërheqjes nga dorëheqja.

Më i egri dhe i rrezikshmi shfaqet Çim Peka, i cili me ultimatume dhe paralajmërime ndaj Ramës po tund dheun, duke tejkaluar edhe pronarin e tij, Doktor Nongratën. “I them Rames nga ketu se jo vetem qe ne Shtepi te Bardhe nuk do shkelesh, por me ate qe ke bere dje dhe sot shans me ti japesh doren asaj vajze presidenti nuk ke. Je klasifikuar si person qe do te korruptoje familjen e Presidentit Trump, dhe, prit se pas qafe do e kesh!“, shkruan Peka.

Ndërkaq, Anduena Llabani, tashmë e konfirmuar si Baba Vanga, pas konsultimit me A. N., paralajmëroi në datën 7 janar 2026, në televizionin News 24, se në datën 20 janar, pra dy javë më pas, Edi Rama do të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me avokat me vete, pasi e kishte punën pisk. Bazuar në burimet e saj në të gjitha kontinentet, gazetarja deklaroi me kompetencë se Edi Rama do të merrej në pyetje për disa çështje që i janë hapur ‘andej’.

Meqenëse në 20 janar helikopterët e Delta Force nuk ulën dot në Surrel për shkak të erës, Baba Vanga pritet të dalë dhe të komunikojë një datë tjetër për zbarkimin amerikan, këtë herë duke u konsultuar me Gimin e Puros, i cili njeh njërin në SHBA, që ka shok një person, i cili është komshi me shoferin e një zyrtari në Shtëpinë e Bardhë.

Nga ana tjetër, Zonja Pretenca e ka sfiduar Ramën në një duel televiziv. “I paska dale gjumi mbretit lakuriq…o mbret qe sta tha njeri qe je lakuriq prej 14 vitesh. Te sfidoj te me dergosh nje foto te inceneratorit te Tiranes qe na ka gllaberuar mln euro. Pastaj me etiketo si te duash. Lekura sholle na eshte bere nga balta juaj! Nese ke kurajo perballem ne debat kur te duash! PS. Mos harro ne Durres ke 1500 shtepi dhe mijera hektare toke nen uje. Presin demshperblim“, shkruan zonja Pretenca.

Gimi i Puros po avancon me analizat e tij gjeopolitike në studion e ‘balancuar’ të Çim Pekës. Të gjitha analizat e tij kanë një përfundim kobzi për fatin e Edi Ramës. Me burimet e tij në SHBA, Gimi i Puros ka nxjerrë jashtë loje edhe kryekëshilltarin mediatik të Doktor Nongratës, Alfred Lelën, i cili që kur doli nga veza e Henri Çilit dhe pantallonat e Lul Bravës, rreh gjoksin në SHQUP si njeri i amerikanëve meqenëse kur ka qenë në SHBA ka punuar si banakier, ku në një rast kishte përgatiur një miks pijesh për një kongresmen.

Në të njëjtin front, Sonila Meço parashikon fundin e parakohshëm të Edi Ramës përmes një analize të hollë frojdiste. “Ndaj edhe fobinë ndaj humbjes së mundshme të legjitimitetit prej s’andejmi ia faturon në dy mënyra të kundërta shqiptarëve, duke e shfaqur një herë si paranojë të opozitës e një herë si “opium” për popullin. Në psikoanalizë thuhet se pa fobinë, ankthi do ishte më i egër, i pamenaxhueshëm. Për kryeministrin, Amerika nuk është aleat strategjik, por objekti fobik nëpërmjet të cilit mban nën kontroll ankthin e rënies së parakohshme nga pushteti“, shkruan zonja Meço.

Ndërkaq, që kur i vuri gjobë një oligarku duke i marrë një vilë pas disa statuseve në Facebook, Ola po lufton për të rrëzuar Ramën në prapavijë, me shpresën se do t’i hapet sërish rruga për të marrë tendera publikë nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Ish zyrtari i PD Vesho Mallisti, spiun në tre breza, i cili natën merr para nga qeveria, ndërsa ditën i mban iso Doktor Nongratës, ka nisur të tërhiqet nga loja me dy porta që kur e ka marrë vesh se do të dalë në dosjen e Ballukut, ashtu siç është në të vërtetë.

Në praravi po punojnë fortë edhe Belo Ezmeri dhe Aldo Bumçi duke bindur demokratët se Doktor Nongratës i është hequr damka nongrata që në dhjetor dhe mund të shkojë kur të dojë në SHBA. Në një front në dukje autonom për të rrëzuar Ramën po luftojnë dy analistët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, me vila nga Tirana në Palasë.

Për t’i shkurtuar ditët në pushtet Edi Ramës është angazhuar edhe Gent Strazimiri, i njohur si Strazo Koburja, i cili mësohet se kishte kërkuar ndërhyrjen e Gimit të Puros dhe Fate Mediut për t’u bërë pjesë e skuadrës së Delta Force që do të zbarkonte në Surrel për të arrestuar Edi Ramën dhe për t’a nxjerrë para drejtësisë amerikane në 20 janar.