Mbi 180 milionë euro është dëmi financiar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit shqiptar nga çështjet e humbura në arbitrazhin ndërkombëtar, ndërsa gati 18 milionë euro vendime të Gjykatës së Strasburgut mbeten ende të paekzekutuara. Këto janë gjetjet kryesore të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Avokaturën e Shtetit për periudhën 2023–2024.
Sipas auditimit, deri në dhjetor 2024, Shqipëria rezulton humbëse në katër çështje arbitrazhi ndërkombëtar, me një efekt financiar total prej rreth 180 milionë eurosh. Nga kjo shumë, mbi 11.5 milionë euro përbëjnë vetëm kostot e tribunalit dhe shpenzimet e përfaqësimit ligjor, të paguara nga buxheti i shtetit.
Një tjetër problem i rëndë lidhet me vendimet e arbitrazhit të fituara nga Republika e Shqipërisë, të cilat nuk janë ekzekutuar në kohë. Nga shtatë vendime arbitrazhi ku shteti shqiptar ka rezultuar fitues, vetëm dy janë njohur nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Megjithatë, edhe për këto dy raste, KLSH konstaton se nuk është bërë rimbursimi i vlerave përkatëse në buxhetin e shtetit.
Si pasojë, shteti ka humbur të ardhura në vlerën mbi 10 milionë euro dhe 325 mijë dollarë amerikanë, të cilat përfaqësojnë penalitete dhe dëmshpërblime të vendosura në favor të Shqipërisë. Auditimi e cilëson këtë situatë si shkelje të Kodit të Procedurës Civile, duke theksuar se ekzekutimi i vendimeve të arbitrazhit të njohura nga gjykatat është detyrim ligjor dhe publik.
Në çështjet ku Shqipëria ka humbur në arbitrazh, vetëm një vendim është njohur nga Gjykata e Apelit, konkretisht ai i çështjes “GBC”, ku institucionet shtetërore janë detyruar të paguajnë mbi 12.5 milionë dollarë dëmshpërblim, si dhe interesa shtesë.
Sipas KLSH-së, për më shumë se katër vite nga njohja e këtij vendimi, institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë masa për planifikimin buxhetor dhe shlyerjen e detyrimit, duke i shtuar buxhetit të shtetit edhe kosto interesi, të vlerësuara në dhjetëra mijëra euro.
Strasburgu, pagesa me vonesë dhe interesa shtesë
Raporti evidenton gjithashtu probleme të përsëritura në ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ kundër Shqipërisë. Vetëm për periudhën 2023–2024, janë paguar jashtë afatit ligjor 19 vendime të kësaj gjykate, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej rreth 486 mijë lekësh në formën e interesave për vonesa.
Në vitin 2024, shteti shqiptar ka ekzekutuar 31 vendime të GJEDNJ-së, me një vlerë dëmshpërblimi mbi 30 milionë lekë, por një pjesë e tyre janë shoqëruar me pagesa interesi për shkak të tejkalimit të afatit tremujor të përcaktuar me ligj.
Më shqetësuese, sipas KLSH-së, mbeten gjashtë vendime të GJEDNJ-së të paekzekutuara prej vitesh, me një vlerë totale gati 18 milionë euro. Vetëm një çështje përbën rreth 75% të këtij detyrimi, ndërsa disa vendime datojnë që nga viti 2015–2018, duke e ekspozuar Shqipërinë ndaj kamatëvonesave të konsiderueshme dhe shkeljeve të detyrimeve ndërkombëtare.
Mungesë sistemi dhe rrezik për transparencën
Auditimi evidenton edhe mangësi strukturore në Avokaturën e Shtetit, përfshirë mungesën e një sistemi të integruar digjital për administrimin e çështjeve të arbitrazhit dhe Strasburgut. Sipas KLSH-së, mbajtja e të dhënave në regjistra fizikë dhe tabela Excel rrit riskun e humbjes së informacionit, ul transparencën dhe vështirëson monitorimin e detyrimeve financiare.
Po ashtu, Ministria e Financave nuk ka përllogaritur dhe pasqyruar në evidencat e borxhit publik interesat e krijuara nga vonesat në ekzekutimin e vendimeve ndërkombëtare, duke e bërë të pamundur një pasqyrë të saktë të barrës reale financiare mbi buxhetin e shtetit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se moszbatimi në kohë i vendimeve të arbitrazhit dhe të GJEDNJ-së, përveçse shkelje ligjore, përbën një risk të vazhdueshëm për financat publike dhe kredibilitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Raporti nënvizon nevojën për rritjen e përgjegjshmërisë institucionale, forcimin e rolit të Avokaturës së Shtetit dhe vendosjen e mekanizmave efektivë për monitorimin dhe ekzekutimin e vendimeve ndërkombëtare.
Gjetjet kryesore të rezultuara nga auditimi
1. Për periudhën nën auditim, Zyra e Inspektimit dhe Këshillimit në ASH, e cila është përgjegjëse për kryerjen e kontrollit të veprimtarisë së avokatëve të shtetit në të dyja nivelet e organizimit, për ushtrimin me efektivitet të funksioneve të institucionit, ka kryer vetëm inspektime tematike dhe të fokusuara mbi veprimtarinë e avokatëve të shtetit individualisht dhe jo mbi veprimtarinë e zyrave në tërësi. Nuk ka informacion lidhur me çështjen dhe pasojat të cilat mund ose kanë sjellë dëm në interesat e shtetit shqiptar, nga veprimet apo mosveprimet e avokatëve të shtetit.
2. Fokusi kryesor i Zyrës së Inspektimit ka qenë “Përditësimi i dosjeve në sistemin elektronik”, në zyrat vendore dhe ato të avokatëve të shtetit pranë Ministrive, por megjithëse është kryer një numër i konsiderueshëm inspektimesh për këtë problematikë (rreth 92 inspektime vetëm për 2023), nuk ka një konkluzion se sa për qind e dosjeve janë hedhur në sistemin elektronik dhe sa jo, e rrjedhimisht asnjë datë fikse se kur ky proces duhet të përfundojë.
3. Regjistrimi i vendimeve të GJEDNJ dhe Gjykatave të Huaja dhe Arbitrazhit Ndërkombëtar, si dhe çdo lloj korrespondence tjetër pjesë e procesit deri në publikimin e vendimit përfundimtar, kryhet sipas një regjistri fizik dhe elektronik (Excel), por mungon një sistem bartës informatik për digjitalizimin e çdo elementi të dosjes, që sjell mungesë transparence dhe llogaridhënie dhe rrit riskun e mosmbajtjes saktë dhe në kohë të çdo të dhëne të nevojshme për monitorimin e të gjithë korrespondencës shkresore apo e-maileve zyrtare.
4. Në lidhje me vendimet e arbitrazhit të fituara nga RSH, në regjistrat elektronikë (Excel) rezulton se janë 7 vendime, nga të cilat 4 vendime janë të fituara gjatë vitit 2024. Sipas këtyre vendimeve, RSH duhet të rimbursohet për kosto të tribunalit dhe shpenzime të përfaqësimit në vlerën 8,971,593 Euro, 1,565,791 USD dhe 108,551 GBP, ose e thënë në një monedhë të vetme 10,473,572 euro, si dhe 6,821,710 euro dëmshpërblim, pra në total 17,295,282 euro të shpenzuara nga buxheti i shtetit, të ndara ndërmjet institucioneve të ndryshme, përfshirë MF, MIE, APD, A, MBZHR dhe AKUK.
Vendimet e Arbitrazhit Ndërkombëtar bëhen të zbatueshme në Shqipëri pas njohjes së vendimit nga Gjykata Shqiptare e Apelit, çka paraqet nevojën për një qasje ndryshe të ASH dhe rrit përgjegjësinë që kanë institucionet përkatëse në rolin e palëve të paditura dhe detyrimin për të zbatuar dhe ndjekur vendimet e gjykatave të arbitrazhit, veçanërisht kur ato janë njohur nga Gjykata e Apelit.
Nga këto 7 vendime, janë njohur nga Gjykata e Apelit Tiranë vetëm 2 vendime:
Çështja ICC Case No. 20564/EMT/GR, iniciuar nga viti 2014, me Vendimin nr. 131 datë 03.05.2023 të Gjykatës së Apelit Tiranë (kërkues MIE), ku Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur që pala paditëse H. srl duhet t’i paguajë penalitete për vonesat RSH në shumën 6,821,710 euro dhe 325,000 USD.
Çështja ICSID ARB/14/26, iniciuar nga viti 2014, “A. A.” sh.p.k., A. N., shoqëria “C.” s.r.l, me vendimin nr. 969 datë 25.11.2024, ku pala paditëse duhet t’i paguajë penalitete për vonesat RSH në shumën 3,269,938.71 euro.
Mosrimbursimi i vlerave të vendosura nga vendimet e gjykatave të arbitrazhit në favor të RSH-së, në buxhetin e shtetit, për këto dy çështje të njohura edhe nga Gjykata e Apelit, konsiderohen të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në vlerën totale 10,091,648.7 euro dhe 325,000 USD, veprime në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile, neni 510.
5. Në lidhje me çështjet në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar dhe vendimet e tyre ku shteti shqiptar është pala humbëse, deri në dhjetor 2024 rezultojnë 4 çështje, me efekte financiare në një vlerë totale 180,125,882 euro, nga të cilat kosto të tribunalit dhe përfaqësimit janë 11,580,103.86 euro, vlerë e cila do të paguhet nga qeveria shqiptare.
Vetëm një prej këtyre vendimeve është njohur nga Gjykata e Apelit, me vendimin nr. 49 datë 04.05.2021, çështja ICC Case no. 22676/GR, me palë paditëse GBC, iniciuar prej vitit 2017, ku pala e paditur MIE dhe AKBN detyrohen të paguajnë dëmshpërblime dhe interesa përkatëse, përfshirë edhe interesat e përllogaritura deri më 31.12.2024, që përbëjnë efekt negativ në buxhetin e shtetit.
6. Në lidhje me çështjet në proces apo të ndërprera në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar, 4 çështje janë të përfunduara, 2 janë të pezulluara dhe 2 janë në proces. Efekti negativ financiar i shpenzimeve gjyqësore të paguara nga buxheti i shtetit është 1,949,063 euro.
7. (a–d) Gjetjet lidhur me vendimet e GJEDNJ për vitet 2019–2024, pagesat jashtë afatit ligjor 3-mujor, interesat e paguara, shkeljet e nenit 19/4 të ligjit nr. 10018/2008, si dhe efektin negativ financiar prej 485,916 lekësh, janë paraqitur në mënyrë të detajuar sipas nënndarjeve përkatëse.
8. ASH në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse nuk ka ekzekutuar 6 vendime të GJEDNJ kundër Shqipërisë me vlerë totale 17,968,650 euro, përfshirë çështje të paekzekutuara prej më shumë se 7 vitesh, në kundërshtim me nenin 46 të KEDNJ.
9. Ministria e Financave nuk ka llogaritur interesat mbi vendimet e GJEDNJ dhe arbitrazhit ndërkombëtar në evidencat e borxhit publik, duke pamundësuar vlerësimin e saktë të dëmit financiar ndaj buxhetit të shtetit.
10. Avokatura e Shtetit deri më 31.12.2024 është penalizuar me gjoba në shumën 391,550 lekë, nga të cilat 340,920 lekë janë në proces gjyqësor.
11. Janë kryer pagesa për dieta brenda vendit në shumën 82,500 lekë pa dokumentacion justifikues, në kundërshtim me udhëzimin nr. 30, datë 27.12.2011 të Ministrisë së Financave.
12. Në procedurat e kontraktimit të studiove ligjore për arbitrazhin ndërkombëtar, rezulton mungesë aktesh nënligjore rregulluese, mungesë metodologjie të miratuar për vlerësimin e ofertave, shkelje të ligjit për konfliktin e interesit dhe mospërputhje me ligjin nr. 10296/2010 për menaxhimin financiar dhe kontrollin. /Pamfleti
