Djalëria komuniste e viteve ’40 dhe një shprehje shkodrane: “I urti ç’ka di nuk flet, i marri ç’ka flet nuk di”

“Letrarët me parzmore” dhe vjersha e Sejfulla Malëshovës si debat mes Selahudin Totos dhe Gjon Shllakut në prag të diktaturës

“Në t’ardhmen na kemi me pas turp të kërkojmë liri shtypi e mendimi. Me kamt tona kemi me shkue drejt robnisë tonë. E shka asht ma zi ka me u zmadhue aq fort mënija shekullore në mes elementesh sa të huejt mezi kanë me prit me futë hundët në punët tona e na e dime atëbotë se shka na gjen”. Ky parashikim i Gjon Shllakut, shkruar në revistën “Hylli i Dritës” në fundin e vitit 1944, është përgjigje për një artikull të Selahudin Totos në gazetën “Bota e Re”. Debati midis dy mendimtarëve të rëndësishëm të kohës, në dy media të ndryshme, lidhej me një vjershë të Sejfulla Malëshovës, i cili i thurte vargje të zjarrta ideve komuniste. Sejfulla Malëshova shkruante me pseudonimin Lame Kodra, ndërsa Gjon Shllaku me pseudonimin Gjin Shpata.

“Gjer më sot pakë fjalë është bërë për librin ‘Vjersha’ që botoi Lame Kodra. Vetëm një recension në ‘Botën e Re’ nga Pashko Gjeçi dhe një artikull i nxituar në ‘Bashkimi’ i paraqitën publikut këto vjersha që kanë ndezur zemërat e mijëra partizanëve të Lëvizjes sonë Nacional-Çlirimtare.

Që rrethi i ngushtë i letrarëve tanë pothua se ka heshtur, kjo mund të ketë dhe shpjegimet e saj. Vepra krijuese e Lame Kodrës është diçka e re në letërsinë tonë. Ajo është pjella e frymës së re që shohëm sot ndër ne. Lame Kodra nuk ka shkruar sipas shijes së rretheve tona të ngushta. Ai jetën e tij ia ka kushtuar popullit dhe ka sakrifikuar çdo gjë që historinë ta bëjë vetë populli dhe jo rrethet e ngushta të ‘të zgjedhurve’. Kjo përpjekje pasqyrohet si drita e diellit edhe në vjershat e tij. Në këto derdhet me një lirizëm të kulluar e të fuqishëm aspirata shekullore për liri e popullit tonë. Nga kjo rrjedh edhe kontradikta që këto u bënë burim frymëzimi për zemërat e fshatarëve, punëtorëve dhe të rinisë sonë liridashëse, më tepër se sa për rrethet e ngushta të intelektualëve të shkëputur nga populli. Mua më duket se s’ka gëzim më të madh për një poet kur shikon se krijimet e tij ndezin zemrën e një populli për liri.

Me këtë nuk dua të them se vjershat e Lame Kodrës janë popullore në kuptimin e vjershave të një bardi. Përkundrazi, në disa, si në ‘Bilbilejtë’, ‘Kremlini’, ‘Poeti rebel’ etj., gjejmë dorën e një mjeshtri në artin poetik. Ajo që dua të theksoj është realizma e mprehtë shoqërore e pendës së tij. Kjo duket në vjershën ‘Si e dua Shqipërinë’.

E vërteta është se artisti nuk mund t’i shpëtojë kohës së tij. Për Lame Kodrën ideja qendrore e gjithë frymëzimeve është liria e popullit nga i huaji dhe nga forcat feudale dhe obskurantiste të brendshme. Është kjo ide qendrore që ndjen thellë, e cila i buçet herë-herë me vrullin e një katarakti. Në ‘Poeti rebel’ kemi një ritëm të lehtë e të rrëmbyer, që i përshtatet një rebeli në malet tona”, shkruan Selahudin Toto.

Të tjerw emra të spikatur në publicistikën e kohës kishin publikuar artikuj për lëvizjen komuniste dhe Sejfulla Malëshovën. Vasfi Samimi ishte një prej tyre. Ishte një ndër intelektualët e shquar të kohës. Shkruante artikuj në gazeta si “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin Agim Shkëndija. Ai shkruante një artikull të ngjashëm me lavde madhështore për djalërinë komuniste të Shqipërisë së vitit 1944. Në artikullin me titull “Misioni historik i djalërisë shqiptare”, Vasfi Samimi, më 18 janar 1944, shkruante ndër të tjera:

“Djalëria shqiptare sot nderohet më tepër se kurrë nga i gjithë populli, aq sa një gjë e këtillë nuk është parë asnjëherë në historinë tonë. Këto lule të njoma të fisit arbnor janë në gjendje shpirtërore e mendore që të kuptojnë thellësisht tingëllimën e melankolisë e të tragjedisë që jehojnë në të katër anët e atdheut, sepse ky brez prej katër vjet me radhë jetoi i lidhur ngushtësisht me popullin, në të gjitha vuajtjet, mjerimet dhe lotët…”

Në të njëjtën gazetë, pra “Bashkimi i Kombit”, do të shkruante me vlerësime të larta edhe publicisti tjetër i njohur i kohës, Kasëm Bajrami. Me titullin “Ç’kërkon rinia?!”, botuar më 27 janar 1944, ai theksonte ndër të tjera:

“Duhet të kuptojmë kohën e shpirtin e rinisë. Duhet të njohim botën që rinia vijëzon përpara vetes. Duhet të ecim me kohën. Rinia kërkon ndërtimin e botës së re të shkëputur nga prangat e fanatizmave, të nepotizmit, të regjionalizimit, të kapitalizmit të tërbuar, të feudalizmit shekullor. Rinia kërkon të ndërtojë botën e solidaritetit, atë të vëllaznimit, botën e socializmit.”

Për të gjitha këto mendime të shprehura nga këta gazetarë që shkruanin në atë kohë në mbështetje të djalërisë dhe ideve komuniste, “Hylli i Dritës” tërhiqte vëmendjen, me artikujt që publikoheshin her pas here. Në një artikull të rubrikës së përhershme “Jehona e Shtypit”, autori Gjon Shllaku argumentonte krejt të kundërtën e asaj çfarë shkruhej te “Bota e Re”.

Artikulli “Jehona e shtypit” analizon ndikimin e ideve komuniste te gazetarët e kohës. Me një farë kritike, autori shënjestron disa gazetarë që shpallën gatishmërinë për të lënë penën e për të rrokur armët në luftë për çlirimin e atdheut.

“E keqja ndër ne asht se çdo njëri e ndien veten shpëtimtar i atdheut. Prandaj shumë nga shkrimtarët tanë hodhën penën e rrokën shpatën. Nga puna e përpjekja e tyne në lamën strategjike e ushtarake, po kemi përfundime ma se tragjike. Gjysmën e Shqipnisë e dogjëm e gjysmën tjetër kemi mbetë me dyshim: ta djegim a mos ta djegim?

Letrarët me parzmore e përkrenare le të bajnë punën e vet. Ne kemi guxim të japim këshilla. Por gëzim i madh ka me qenë për ne kur t’i rrokim për parzëm këta kingja të butë që braktisën grigjën.

Kur deri letrarëve u kërceu gjaku në krye e nuk mund pritën me ba ata shka banë, shka do të thomi për turmën amorfe shqiptare, për gjithë ata malokë, injorantë, vagabondë që trajtojnë masën e murrme antihistorike shqiptare?”

Në vazhdim të analizës së “Hyllit të Dritës”, evidentohet një parashikim për të ardhmen e shtypit shqiptar nën regjimin komunist. Problematika e nisur qysh para çlirimit konstatohet në analizën e mëposhtme:

“Por le të mendojnë shqiptarët se shka bahet sot ka me pasë pasoja të idhta për ne. Në t’ardhmen na kemi me pas turp të kërkojmë liri shtypi e mendimi. Me kamt tona kemi me shkue drejt robnisë tonë. E shka asht ma zi ka me u zmadhue aq fort mënija shekullore në mes elementesh sa të huejt mezi kanë me prit me futë hundët në punët tona e na e dime atëbotë se shka na gjen.

Intelektualët e njerëzit e artit të Shqipnisë le të bijnë në fije. Menditë vetjake e kolektive, në mos mujshin me i zhdukë, t’i lanë për ma vonë se asht në rrezik kombi.

Shpresa e kombit, si pat kenë thirrë ndër ne në këto dhjetë vjetët e fundit rinia jonë, asht tu ringjallë e frymëzue edhe të rritunit e deri pleqt, me e kujtue vetin si të jetojshin gjithnji në atë moshë: lum, lumi un, vetëm pse nuk kursehen në lavde të teprueme kundrejt kësaj breznije që sot e ka vu aq fort në mendim kombin e shtetin tonë…

Por rinia aq fort e lavdërueme, aq fort e adhurueme, na paraqitet sot e damë ndër llogore të ndryshme, prej kah njiherë, me plumba që vringëllojnë, ndihet edhe fjala ‘tradhtarë’, me të cilën gjuhen pjesët kundërshtare ndërmjet vetit. Kush nuk mendon këtë tradhti në dritën e këtij fakti le të heshtë ma mirë, pse asht i verbët e nuk mundet me pa, as asht radhitun shpirtërisht në njërën ndër këto llogore të çiluna”, shkruan Gjin Shpata(Gjon Shllaku) në revistën Hulli I Dritës në vitin 1944.

Koha do ta vërtetonte shumë shpejt profecinë e Gjon Shllakut dhe “Hyllit të Dritës”. Sepse të gjithë këta autorë që i thurën lavde ideve komuniste përfunduan si “armiq të popullit” dhe u dënuan me pushkatim apo me shumë vite burg. Sigurisht, bashkë me ta ose para tyre do të dënoheshin Gjon Shllaku dhe të gjithë autorët e “Hyllit të Dritës”, të cilët paralajmëruan shumë herët se çfarë e priste Shqipërinë nga komunizmi.

Megjithëse mbështetës të djalërisë komuniste, Samimi dhe Bajrami do të shpalleshin armiq të popullit nga regjimi komunist qysh në muajt e parë të marrjes së pushtetit. Vasfi Samimi u arrestua më 15 dhjetor 1944, u gjykua në procesin e “Gjyqit Special” dhe u dënua me 3 vjet burg, i akuzuar për veprën që kishte shkruar në vitin 1943 “Nëna Kosovë – Shqipëria e vërtetë”. Dita e gjyqit të tij do të botohej në gazetën “Bashkimi”, ku kishte punuar si gazetar dhe ku kishte thurur lavde për djalërinë komuniste.

“Kryetari i gjyqit (Koçi Xoxe): – Pse e ke botuar atë librin ‘Nëna Kosovë’ që merret me propagandë?

I pandehuri (dr. Vasfiu): – Unë librin ‘Nëna Kosovë’ e kam shkruar me plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë për përmbajtjen e tij e marr vetë. Këtë libër e kam shkruar si një shqiptar dhe ka një stil human…

– Keni bërë propagandë… jeni armik i popullit…”

Edhe Kasëm Bajrami, gjithashtu mbështetës i dikurshëm i lëvizjes së rinisë komuniste, do të burgosej nga diktatura. Në listën e Gjyqit Special do të përfshiheshin edhe gazetarë e publicistë të njohur si Fiqri Llagami apo Lazër Radi. Më pas lista e gazetarëve të vrarë e të burgosur do të shtohej me emra të tjerë të njohur, në procese gjyqësore të sajuara me dëshmitarë të rremë dhe akuza false.

Ndërsa Sejfulla Malëshova do të dënohej gjithashtu nga regjimi si oportunist dhe devijim drejt ideve të djathta. Ai vuajti disa vite internim dhe do të përfundonte si magazinier dhe shites samarësh. Megjithatë, nuk pati të njëjtin ndëshkim si bashkëkohësit e tij. Selahudin Toto do të dënohej me pushkatim në vitin 1947 dhe lista e vrasjeve dhe burgosjeve të “armiqve të popullit” do të shtohej me shpejtësi nën diktaturën komuniste, derisa të shuhej çdo zë i lirë brenda territorit shqiptar.