Kryeministri në vëzhgim nga SPAK! Edi Rama, Koço Kokëdhima dhe “darka 1.2 milionë Euro”

Një darkë në “Arena Kombëtare”, dy tenderë milionash dhe rikthimi i Koço Kokëdhimës në qarkun e përfituesve të fondeve publike me bekimin e Edi Ramës…

Dhjetë vite pasi u ndanë me akuza, denigrime dhe përjashtime publike, Edi Rama dhe Koço Kokëdhima janë ribashkuar në mënyrën më klasike të pushtetit: përmes tenderëve. Pas një darke të zhvilluar në dhjetor 2025 në “Arena Kombëtare”, kompania “Abissnet” e Kokëdhimës u shpall fituese e një tenderi 1.2 milionë euro për shërbim interneti për Postën Shqiptare, pavarësisht ofertave dukshëm më të ulëta nga kompani të tjera. Vetëm pak javë më herët, Kokëdhima kishte përfituar edhe një tjetër kontratë rreth 6 milionë euro për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit. Rasti ilustron modelin e riciklimit të “armiqve” politikë në miq përfitues, ku konfliktet shuhen dhe “leckat” kthehen në partnerë sapo interesat financiare e kërkojnë.

Është në karakterin dhe modelin “historik” të sjelljes së Edi Ramës që miqtë dhe bashkëpunëtorët, me të cilët ndahet, i përzë apo disa edhe i çon në burg, të mos e ketë problem t’i afrojë sërish kur i nevojiten për interesat e tij, duke i shpërblyer me poste zyrtare, fonde dhe pasuri publike.

Kështu veproi Edi Rama në mesin e muajit dhjetor 2025, duke darkuar në restorantin te kulla e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë, me armikun e tij të dikurshëm Koço Kokëdhima, të cilin në vitin 2016 e denigroi dhe e largoi si “leckë” nga PS-ja dhe Parlamenti.

Por dhjetë vite pas ndarjes me denigrime dhe akuza të rënda reciproke, Edi Rama dhe Koço Kokëdhima kanë “lëpirë” atë që kishin pështyrë ndaj njëri-tjetrit, duke darkuar me afrimitet dhe të gëzuar, sikur mes tyre të mos kishte ndodhur asgjë.

Pas darkës me Bablokun, Koço Kokëdhima ka përfituar një tjetër tender me vlerë 1.2 milionë euro me TVSH, për furnizimin e shoqërisë Posta Shqiptare me shërbim interneti për katër vite.

Aq shumë janë “ri-dashuruar” Rama dhe Kokëdhima pas dhjetë vitesh ndarje dhe armiqësie, sa drejtuesit e Postës Shqiptare ia dhanë tenderin me ofertë 1.2 milionë euro me TVSH, ndonëse dy kompani të tjera kishin oferta financiare përkatësisht 300 mijë euro dhe 120 mijë euro më të ulëta.

Mirëpo, kur në tenderë marrin pjesë miqtë e Bablokut, sidomos kur ka urdhër të drejtpërdrejtë për rikthimin e tyre në tenderë, asnjë ministër, drejtor apo kryebashkiak nuk guxon të mos e zbatojë urdhrin, edhe duke shkelur ligjin dhe duke pranuar vlera më të larta financiare.

Kujtojmë se pas darkës me Bablokun, Koço Kokëdhima, më 26 janar 2026, rezultoi përfitues edhe në tenderin me vlerë rreth 6 milionë euro, për furnizimin me internet të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit për dy vite./Pamfleti