RETRO LAJM /Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zbuluar prapaskenat e politikës së asaj kohe, gjatë periudhës kur u zhduk Remzi Hoxha.
Ai hedh akuza të forta ndaj ish-presidentit shqiptar të asaj kohe, Sali Berisha.
“Sipas Aliut dhe dëshmisë që ai dha në atë periudhë, u diskutuan ose u vendosën dy çështje. E para ishte marrëveshja trepalëshe Berisha-Millosheviç-Gligorov për vazhdimin e kontrabandës. E dyta ishte marrëveshja dypalëshe Millosheviç-Berisha për shitblerjen e armëve nga Shqipëria drejt Jugosllavisë për njësitë ushtarake dhe paramilitare në Kroaci dhe Bosnje, por edhe për njësi të tjera që ishin gati të kryenin spastrim etnik, madje edhe në Kosovë, gjë që ndodhi më vonë”, thotë Hashim Thaçi në emisionin “Top Story” në Top Channel.
Basri Zuka, sekretari i shoqatës që drejtonte Remziu, i dërgon një letër Ibrahim Rugovës ku e informon për atë që kishin dëshmuar, duke shprehur dyshimet e tij.
“Rugova e pyet Berishën dhe i thotë: ‘A është e vërtetë apo jo ajo që po thuhet?’ Berisha e merr vesh se Remzi Hoxha kishte dijeni për këtë fakt dhe ia kishte përcjellë edhe neve,” thotë Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës.
“Sipas Aliut, prova të tilla përfundonin gjithmonë në duart e Azem Hajdarit. Në atë kohë ai po e shantazhonte presidentin Berisha. Raportet u acaruan aq shumë sa çuan në një përplasje, ndoshta me pasoja për Azemin më vonë,” thotë ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi.
