Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar këtë të hënë ndryshime ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Rama ka bërë të ditur se do të kërkohen ndërhyrje ligjore për të çliruar qeverisjen nga ajo që Rama e konsideron pengmarrje nga SPAK-GJKKO, por nuk ka përmendur ende një nen konkret të Kodit të Procedurës Penale.
Megjithatë, mendohet se ndryshimet që mund të kërkohen mund të përfshijnë nenin 242, i cili aktualisht rregullon pezullimin e ushtrimit të detyrave për personat e zgjedhur nga qytetarët. Në këtë kontekst, supozohet se ndryshimet mund të bëjnë të mundur që përveç deputetëve dhe kryebashkiakëve, masa e pezullimit të shtrihet edhe tek anëtarët e qeverisë, Presidenti dhe funksionarë të tjerë të nivelit të lartë, duke zgjeruar kështu fushën e aplikimit të saj në raste të veçanta.
Kryeministri thekson gjithashtu se ndërhyrja synon të garantojë funksionimin normal të institucioneve, pa paralizime të detyrave kushtetuese dhe duke ruajtur pavarësinë e hetimeve dhe institucionet e drejtësisë.
- Neni 242 – Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
- Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
- Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Kërkesa e SPAK-ut për imunitetin e Ballukut do rrëzohet
Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për t’i hequr imunitetin Belinda Balluku nuk do të miratohet. Kryeministri Edi Rama tha pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist se nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK, duke paralajmëruar dhe ndërhyrje ligjore për të zgjidhur, atë që ai e ka cilësuar tejkalim kompetencash të gjyqësorit me pezullimin e një anëtari të qeverisë
Ndërkaq, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama reagoi në X mbi situatën e krijuar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rikthimit të pezullimit të ministres.
Në qëndrimin e tij, Rama artikuloi tre konkluzione kryesore, duke vënë theksin te kufijtë kushtetues të pezullimit të funksioneve shtetërore, nevoja për ndërhyrje në legjislacion dhe roli i SPAK-ut në këtë proces, të cilin mazhoranca thotë se e mbështet pa asnjë ekuivok.
Reagimi i Ramës
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga:
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3.E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.
