YouTuberi amerikan Nico Grigg ka pretenduar së fundmi se pasi u përpoq të hynte fshehurazi në ishullin privat të Jeffrey Epstein, Little St. James, rreth tij nisën të ndodhnin gjëra të pazakonta.
Në një video të publikuar fillimisht në TikTok dhe më pas të shpërndarë në Instagram, Grigg deklaroi se për disa ditë me radhë, pas publikimit të videos së tij për ishullin e Epstein, jashtë shtëpisë së tij kishin qëndruar të parkuara disa automjete SUV me xhama të zinj. Ai tha se nuk e dinte se kujt i përkisnin apo pse ndodheshin aty.
Në video, ai shprehet: “Kanë kaluar vetëm tre ditë që kur publikova videon ku përpiqesha të hyja në ishullin e Jeffrey Epstein. Që nga dita që jam kthyer në shtëpi, çdo ditë ka pasur makina Escalade me xhama të zinj të parkuara jashtë. Nuk e di kush janë dhe çfarë duan, por po e publikoj këtë video në rast se ndodh diçka.”
Në fund të klipit, ai spekulon se automjetet mund t’u përkasin miqve të Epstein dhe kërkon falje nëse ka ofenduar dikë, duke shtuar se dëshiron që gjithçka të marrë fund.
Disa ditë më parë, Nico kishte publikuar në YouTube një video ku dokumentonte përpjekjen e tij për t’iu afruar ishullit. Ai tregoi se fillimisht përdori një dron për të vëzhguar zonën dhe vuri re një varkë pranë bregut, por nuk arriti të kuptonte nëse i përkiste turistëve apo autoriteteve. Më pas, sipas tij, ai mori me qira një jet ski për t’u afruar më shumë.
Grigg pretendon se para se të arrinin pranë ishullit, pa një grua brenda rezidencës së Epstein që dukej se i kishte vënë re, kishte bërë fotografi dhe ndoshta kishte telefonuar policinë. Në video ai shfaq edhe pamje që, sipas tij, tregojnë rojën bregdetare duke i ndjekur ndërsa largoheshin nga zona.
Ai u shpreh se ishte i zhgënjyer që nuk arriti të zbarkonte në ishull. Gjithashtu tha se kishte marrë një mesazh nga një person që pretendonte të ishte punonjës në Little St. James, i cili e paralajmëronte të mos afrohej më dhe se mund të arrestohej nëse rikthehej. Videoja ka marrë miliona shikime në rrjet.
Burimi: Financial Express
