Në një përpjekje për të ndriçuar një kapitull të jashtëzakonshëm dhe pak të treguar të historisë shqiptare, gazetarja Rudina Xhunga ka njoftuar një seri intervistash që kulmon me një dokumentar, i cili do të transmetohen në Dritare Televizion.
Ky projekt ambicioz synon të sjellë në vëmendjen e publikut historinë e shpëtimit të rreth 25-30,000 ushtarëve italianë nga familjet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë javë do të vijë intervista ekskluzive me Lia Tosin, një grua jeta e së cilës është e lidhur pazgjidhshmërisht me Shqipërinë.
E realizuar në Firence nga gazetarja Malvina Tare dhe një staf produksioni shqiptaro-italian i drejtuar nga Joni Baci Alizoti, intervista zbulon historinë e babait të Lias, një mjek italian që shërbeu në Shqipëri dhe mjekoi pa dallim shqiptarë, partizanë, qytetarë e fshatarë. Pavarësisht ndarjes së gjatë të shkaktuar nga regjimi komunist, Lia Tosi nuk e harroi kurrë Shqipërinë, duke ia kushtuar jetën e saj mbledhjes dhe dokumentimit të historive të bashkatdhetarëve të saj të shpëtuar nga shqiptarët, te jatin perfshire.
Historia daton pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, kur mijëra ushtarë italianë u gjendën të bllokuar në territorin shqiptar, tashmë nën pushtimin gjerman. Të konsideruar tradhtarë nga ish-aleatët e tyre nazistë, fati i tyre ishte i paracaktuar: kampet e përqendrimit dhe vdekja.
Por, në një akt të pashembullt humanizmi, populli shqiptar u hapi dyert e shtëpive të tyre. Duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve, pasi strehimi i një italiani dënohej me zhdukjen e gjithë familjes nga gjermanët, shqiptarët i fshehën, i ushqyen dhe i mbrojtën këta të rinj, duke ndarë me ta varfërinë e skajshme të kohës.
Ky akt heroik kolektiv, i rrënjosur thellë në kodin e nderit dhe mikpritjes shqiptare, Besën, është një dëshmi e fuqishme e vlerave njerëzore. Siç tregon një tregim prekës ndarë nga historiania Nevila Nika, një ish-partizane, tezja e saj, i dhuroi një ushtari italian gjysmën e sapunit të vetëm që kishte, një gjest i vogël me një ndikim të pamatë që i shpëtoi jetën atij nga sëmundjet. Ai u kthye në Shqipëri vetëm ta takojë e falenderojë. Ky është thelbi i historisë: akte të vogla mirësie që së bashku ndërtuan një operacion masiv shpëtimi.
Projekti i Dritare Televizion synon të korrigjojë një boshllëk historik, duke sjellë dëshmi, intervista me historianë dhe rrëfime të dëshmitarëve të fundit.
“Kjo nuk është thjesht një histori e panjohur, por një histori e patreguar fjalë për fjalë, emër për emër,” thekson Rudina Xhunga.
“Ne jemi të jashtëzakonshëm. Thjesht na është dukur sikur kjo që kemi bërë është e zakonshme. Por nuk është. Dhe duhet treguar”.
Përmes kësaj nisme, synohet krijimi i një muzeu të kujtesës dhe nderimit të kësaj lidhjeje të veçantë shqiptaro-italiane, duke i treguar botës një faqe të ndritur të historisë sonë, një histori që na bën të gjithëve krenarë./Dritare Tv
